Zemaj: Shkelësit e rregullave kundër koronavirusit do të gjobiten

Prishtinë

* Lajm i korrigjuar

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, tha se shkelësit e rregullave kundër koronavirusit do të gjobiten dhe ndëshkohen sipas ligjit, ndërsa bëri thirrje për reduktimin e kontakteve, për të evituar përhapjen e virusit.

Ndëshkimi do të bëhet në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse.

Zemaj, përmes një postimi në Facebook, tha se Klinika Infektive në Prishtinë duhet përforcuar me kapacitete të reja.

“Armiku i padukshëm vazhdon ta kërcënojë shëndetin tonë”, tha ai.

“Kjo luftë po zhvillohet kryesisht në frontin e shëndetësisë. I tërë personeli mjekësor në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale është i mobilizuar maksimalisht”, shtoi Zemaj.

Këtë muaj, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka publikuar një manual për mbrojtje nga përhapja e sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi.

Zemaj bëri thirrje që të respektohen udhëzimet e këtij manuali, i cili ka 153 faqe dhe gjendet vetëm online në ueb-faqen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kosova, në ditët e fundit, ka parë rritje të rasteve me koronavirus.

Autoritetet kanë konfirmuar gjithsej 2,677 raste; prej tyre, 1,425 janë shëruar dhe 49 kanë vdekur.

Gjendja në Kliniken Infektive në Prishtinë është jashtëzakonisht e rënduar dhe kapacitetet e klinikës janë pothuajse të mbushura, ka thënë për Radion Evropa e Lirë infektologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi.

* Në versionin origjinal të këtij lajmi, thuhej se nuk ka ligj që sanksionon shkeljet e mundshme të rregullave të koronavirusit. Në fuqi është Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse.