Kosova pranon 6,500 teste për koronavirus dhe gjashtë respiratorë

Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës njoftoi se ka pranuar të enjten 6,500 teste për diagnostikimin e Covid-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, dhe gjashtë respiratorë nga organizata “Qatar Charity”.

Në një komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se dërgesa është pranuar bazuar në një memorandum të nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtori i kësaj organizate, Mahmoud Abbas Shaker, në prani të ambasadorit të shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri.

“Ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit dhe pranimit të këtij donacioni u bë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ministri Zemaj citohet të ketë thënë se ky është një kontribut i vlefshëm, si për diagnostikimin e sëmundjes Covid-19, ashtu edhe për fuqizimin e kapaciteteve të trajtimit, në veçanti me respiratorë.

Ambasadori i shtetit të Katarit, Al-Marri, tha se kjo ndihmë u dedikohet institucioneve dhe popullit të Kosovës në ballafaqimin me pandeminë Covid-19.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se kjo dërgesë do ta ndihmojë Institutin në punën e tij, por edhe institucionet në trajtimin klinik të rasteve të rënda.

Këtë javë, IKSHPK-ja ka kërkuar ndryshim të strategjisë së testimit për personat që dyshohet se mund të jenë prekur nga koronavirusi, për shkak të kapaciteteve të kufizuara laboartorike.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se do ta rishikojë këtë rekomandim.

Lexoni edhe këtë: