HRW: Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve, një hap pozitiv për drejtësinë

Logoja e Human Rights Whatch

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) ka thënë se aktakuza e bërë publike kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënon përparim të drejtësisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë dhe pas luftës në Kosovë 1998-1999.

“Kjo aktakuzë është një hap pozitiv për drejtësinë pasi këto krime të supozuara kanë rënduar mbi Kosovën për dy dekada", tha Lotte Leicht, drejtore për Bashkimin Evropian (BE) në Human Rights Watch.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë - emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë - akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Aty është thënë se aktakuza është rezultat i një hetimi të gjatë dhe se një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale është duke analizuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Përveç kësaj, në komunikatë është thënë se Thaçi dhe Veseli “kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.

Zyrtarja e HRW, Lotte Leicht, tha se aktakuza shënon një hap përpara drejt mësimit të së vërtetës për viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre për krimet e kryera kundër tyre.

“Kjo gjithashtu vë në kujtesë se drejtësia mund të arrijë edhe tek ata që shiheshin të paaritshëm prej saj”, tha Leicht.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk është deklaruar lidhur me aktakuzën e paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Dhomave të Specializuara, janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.