Në Gjermani ka pasur rritje të madhe të numrit të rasteve me COVID-19 në mesin e disa punëtorëve rumunë dhe bullgarë.
Shpërthimi masiv i sëmundjes që e shkakton koronavirusi në një thertore që punëson së paku 6,500 punonjës në landin Nordhajn Vestfalen, ka bërë që shkalla e riprodhimit të koronavirusit në Gjermani të rritet ndjeshëm, javën e kaluar.
Kjo ka bërë që Instituti Robert Koch (RKI) për shëndetin publik të ngrejë edhe alarmin pandemik.
Ai ka bërë të ditur më 21 qershor se niveli i përgjithshëm i riprodhimit të koronavirusit në Gjermani është rritur nga 1.79 në 2.88 brenda 24 orëve të mëparshme.
Kjo sugjeron se çdo 100 vetë që kontraktojnë virusin në Gjermani, mund të infektojnë edhe 288 persona të tjerë.
SHIKONI EDHE: Gjermania vendos masa të izolimit në nivel lokalPër të mbajtur nën kontroll pandeminë në një afat më të gjatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se niveli i riprodhimit duhet të mbahet nën 1.0.
OBSH-ja ka paralajmëruar po ashtu më 21 qershor për shpërthime të reja të sëmundjes në të gjithë botën, të cilat, sipas saj, mund të detyrojnë izolime të reja, apo masa të ashpra kontrolli.
Deri më tani, Qeveria gjermane i ka qëndruar besnike politikës së saj për rihapjen e ekonomisë, duke bërë përpjekje që në të njëjtën kohë të shuajë edhe vatrat lokale të shpërthimeve.
Por, thertorja Toennies në qytetin Reda Videnbryk ngre mundësinë për masa të reja kufizuese në Gjermani - vendin që është parë si i suksesshëm në frenimin e përhapjes së koronavirusit dhe në mbajtjen e numrit të viktimave relativisht të ulët.
Deri më 22 qershor, Gjermania ka raportuar mbi 191,000 raste të konfirmuara me koronavirus, përfshirë rreth 8,900 viktima - shifra këto që shihen si relativisht të ulëta për një vend me rreth 83 milionë banorë.
SHIKONI EDHE: Kufijtë e BE-së mund të mbeten të mbyllur për vendet e Ballkanit PerëndimorPër vendet e tjera që e marrin Gjermaninë si shembull për politikat e tyre të shëndetit publik, reagimi i autoriteteve gjermane mund t’i ndikojë vendimet.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se masat e izolimit duhet të mbeten në fuqi për kohë më të gjatë. Por, Merkel është vënë nën presion nga politikanët rajonalë, të cilët këmbëngulin që Gjermania duhet të rihapë ekonominë e saj.
Izolimi “lokal”
Në thertoren Toennies, trupat e ushtrisë gjermane janë thirrur në fundjavë për të testuar gjithë stafin. Deri më tash, mbi 1,300 punëtorë kanë dalë pozitivë në testet për koronavirus.
Autoritetet lokale kanë detyruar rreth 7,000 punëtorë dhe familjarë të tyre të futen në karantinë.
Policia dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë mbikëqyrin karantinën, ndërsa autoritetet lokale kanë mbyllur edhe shkollat pranë.
Guvernatori i landit Nordhajn Vestfalen, Armin Laschet, u ka bërë thirrje zyrtarëve konsullorë nga Rumania, Bullgaria dhe Polonia që të organizojnë përkthyes për të ndihmuar punonjësit e izoluar në Toennies.
“Janë 1,300 prona, ku stafi dhe familjarët jetojnë dhe ku ne duhet t’i respketojmë rregullat e karantinës”, ka thënë Laschet.
SHIKONI EDHE: OBSH-ja raporton rritjen më të madhe të infektimit me koronavirusNordhajn Vestfalen është më i populluari nga 16 landet e Gjermanisë. Ai përfshin qytetet: Këln, Dyzeldorf, Dortmund, Esen, Duizburg, Bohum dhe Bon.
Shpërthimi në Toennies nuk është i vetmi që autoritetet gjermane po përpiqen ta kontrollojnë.
Më në jug, në qytetin Gëtingen, në landin e Saksonisë së Ulët, është raportuar së voni për një shpërthim të sëmundjes në mesin e rreth 700 banorëve të një blloku.
Autoritetet shëndetësore atje kanë kërkuar përforcime nga policia për të vëzhguar urdhrin e izolimit në ndërtesë.
"Rreth 200 njerëz u përpoqën të dilnin, por 500 të tjerë i respektuan rregullat e karantinës", ka thënë shefi i policisë në Gëtingen, Uwe Luehrig.
Punëtorët rumunë dhe bullgarë
Shpërthimi i sëmundjes në thertore nuk është i pari që godet rumunët dhe bullgarët që shkojnë në vende, si: Gjermania, Holanda dhe Franca, për punë në fabrikat e përpunimit të mishit ose si punëtorë të përkohshëm sezonalë në ferma.
Në mars dhe në prill, kur kufijtë e Gjermanisë kanë qenë të mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit, autoritetet në Berlin kanë deklaruar se prodhimi i ushqimit është thelbësor për vendin.
Kjo deklaratë u ka hapur rrugën fluturimeve të veçanta që transportonin dhjetëra- mijëra punëtorë të përkohshëm nga Rumania, Bullgaria dhe Polonia për në Gjermani.
SHIKONI EDHE: Një botë e ndarë nuk mund të mposhtë pandeminë, paralajmëron OBSH-jaKorrespodentët e Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar se dhjetëra fluturime të tilla janë realizuar pa masat e duhura shëndetësore, si maskat apo distancimi fizik.
Në fund të prillit, një shpërthim i sëmundjes në mesin e punëtorëve të një thertoreje në Birkenfled, në juglindje të Gjermanisë, ka nxjerrë në pah gjendjen e punëtorëve rumunë dhe bullgarë, që jetojnë në konviktet që u ofrojnë kompanitë.
Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar se së paku 200 rumunë janë infektuar atje, përfshirë një pacient që ka vdekur nga COVID-19.
Më 11 maj, Ministria e Jashtme e Rumanisë ka konfirmuar një shpërthim tjetër të koronavirusit midis punëtorëve rumunë, në një strukturë tjetër të përpunimit të mishit, e cila gjithashtu ndodhet në Nordhajn Vestfalen.
Ministri i Shëndetësisë në Nordhajn Vestfalen, Karl-Josef Laumann, ka thënë për Deutsche Welle-n se strehimi i përbashkët i punëtorëve mund t’iu kontribuojë shpërthimeve të sëmundjes.
"Qindra janë sëmurë në thertore", ka thënë ambasadori i Rumanisë në Gjermani, Emil Hurezeanu, për Radion Evropa e Lirë më 21 maj.
Me gjithë shpërthimin e fundit të COVID-19 në thertoren në Gjermani, zyrtarët shtetërorë nuk kanë thënë se do të rivendosin izolime më të gjera në vend.
Guvernatori i landit Nordhajn Vestfalen ka thënë më 21 qershor se nuk ka arsye për të mbyllur zonën përreth thertores Toennies, sepse “nuk ka kërcim të madh” të virusit midis populatës, përtej punonjësve të kompanisë.
Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, i ka thënë televizionit ARD më 22 qershor se ai pret që firma të bëjë gjithçka që mundet për të kufizuar dëmet.
Heil ka bërë thirrje për një hetim, për të parë nëse firma mund të mbajë përgjegjësi financiare për shpërthimin.