Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi si “kthesë historike” takimin me palën serbe, më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Në një konferencë për media, Thaçi tha se qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë marrë lajme të mira nga Uashingtoni.
“Takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë e konsiderojmë si kthesë historike dhe mundësi të papërsëritshme për fillimin e një procesi tepër të vështirë, shumë të rëndë, por të domosdoshëm për arritjen e paqes”.
“Qytetarët e Kosovës e dinë shumë mirë se nga Uashingtoni gjithmonë kanë ardhur lajme të mira. Kështu do të jetë edhe sot, por edhe në të ardhmen. Kam besim të plotë, se edhe takimi në Uashington do t’i kontribuojë konsolidimit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.
Thaçi tha se Kosova në këtë takim, që është thirrur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Kosovë-Serbi, Richard Grenell, Kosova shkon e përgatitur dhe se ai dhe kryeministri Avdullah Hoti, në këtë takim, do të kenë qëndrime të koordinuara.
“Ne do të flasim me një zë. Do të respektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Do të kemi një koordinim ndërinstitucional. Konsultat janë duke vazhduar. Kosova ka bartësit e institucioneve të shteti, përfaqësuesit legjitim në hierarkinë institucionale. Por, për të shuar kureshtjen tuaj, dëshiroj të potencoj se përgjegjësitë janë të qarta në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës”, tha presidenti Thaçi dhe shtoi se Kosova po punon në arritjen e një marrëveshjeje paqësore, që t’i jepte fund konfliktit me Serbinë dhe do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
Duke komentuar deklaratat e të dërguari të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili ka theksuar që askush nuk mund t'i ofrojë të ardhme evropiane Kosovës, pos BE-së dhe se blloku evropian nuk mund të lihet anash nga procesi i bisedimeve, presidenti Thaçi tha se “Bashkimi Evropian hyn në këtë proces me një hendikep shumë të madh”.
“Hyn me hendikepin e mosliberalizimit të vizave për Kosovën, gjë që e rritë mosbesimin, por edhe dëshpërimin e njerëzve në Kosovë për misionin dhe përkushtimin e tyre aktual. Sido që të jetë, ne do të punojmë ngushtë që të kemi sukses edhe në samitin e Parisit që do të mbahet në javën e tretë të muajit korrik”, tha Thaçi.
Thaçi theksoi që BE-ja dhe i dërguari i posaçëm Lajçak, “duhet të jenë të fokusuar më tepër në substancën që ai mendon të prezantojnë dhe më pak të jenë të shqetësuar për rezultatet e takimit në Uashington”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të taksës 100 për qind që Kosova i vendosi produkteve nga Serbia. Kjo taksë u zëvendësua me masën e reciprocitetit. Por, kryeministri Avdullah Hoti e hoqi reciprocitetin më 6 qershor, për t’i dhënë mundësi rinisjes së dialogut.