Mosmiratimi i projektligjeve për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kanë arritur pajtushmëri autoritetet e Kosovës, ka nxitur reagimin e ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e mbajtur më 11 qershor, ka dështuar të miratojë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare financiare që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me mekanizmat ndërkombëtarë.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për këtë gjë.
“Fjala zhgënjim është shumë diplomatike. A do ta shohim së shpejti Kuvendin e Kosovës duke punuar? Kjo kishte të bënte me paketat e ndihmës për shtetin dhe popullin”, ka shkruar Heldt në një postim në rrjetin social, Twitter.
Ai ka bërë këto komente, ndërkohë që edhe shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova, është shprehur “e zhgënjyer” që kuvendi nuk ka miratuar këto legjislacione.
Marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Kosovës, sipas Kushtetutës duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, dërguar Radios Evropa e Lirë, totali i marrëveshjeve të cilat duhet ratifikuar në procedurë të përshpejtuar përfshin pesë marrëveshje kredie në vlerë 228.1 milionë eurove dhe dy marrëveshje bashkëfinancimi në vlerë 61 milionë eurove.