Ceremonia e varrimit të George Floydit, afrikano-amerikanit, vdekja e të cilit gjatë mbajtjes në polici ka nxitur thirrje në ndryshime të sistemit të drejtësisë penale në Shtetet e Bashkuara, është mbajtur në Hjuston të Teksasit, ndërkohë që protestat kundër-racizimit janë duke vazhduar.
Pas një ceremonie private në kishë, Floyd, 46-vjeçar, do të varroset në Hjuston afër nënës së tij.
Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, kandidati demokrat për president të SHBA-së në zgjedhjet e nëntorit, u ka thënë më shumë se 500 personave të mbledhur në kishën e Hjustonit, se vdekja e Floydit, do të nxisë drejtësi racore në gjithë shtetin.
Përgjatë dy javëve të protestave të rrugë, pas vdekjes së Floydit, janë shtuar thirrjet për reforma policore dhe ndryshime në sistemit e drejtësisë penale, teksa janë shpërfaqur dallimet mes racave në SHBA dhe më gjerë.
Ky mesazh është zgjeruar në gjithë botën, pasi qindra mijëra persona u janë bashkuar protestave në Paris dhe Gjenevë.
Floyd ka vdekur më 25 maj, pasi zyrtari i bardhë policor, Derek Chauvin ka bërë presion me gju në qafën e Floydit për gati nëntë minuta, derisa afrikano-amerikani ka përsëritur se nuk mund të marrë frymë.
Chauvin përballet me akuza për vrasje, derisa tre zyrtarë tjerë policorë akuzohen për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje.