Hoti prezanton masat e pakos së rimëkëmbjes ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka diskutuar të martën për masat e pakos së rimëkëmbjes ekonomike me përfaqësues të Asociacioneve të Bizneseve, përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës dhe ata të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrisë është thënë se në pakon në fjalë përfshihen këto masa:

“Lehtësimi i qasjes në financim, zvogëlimi i barrës tatimore, masat për mbështetje të punësimit, bujqësia, masat për stimulim të kërkesës agregate, mbështetja për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike, rishikimi i buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik, masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar, dhe mobilizimi për financimin e masave”.

Kryeministri Hoti është cituar të ketë thënë se në bazë të një vlerësimi të përgjithshëm, është kuptuar se ekonomia e Kosovës ka pësuar rreth 5 për qind të bruto produktit të brendshëm, si rezultat i pandemisë me koronavirus.

Megjithatë, ai është zotuar për t’iu ofruar përkrahje bizneseve në kalimin e vështirësive, pas përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Ai ka përmendur vjeshtën si periudhë kur pret që të kompensohen bizneset për humbjet e tyre gjatë pandemisë.

“Gjatë fazës së implementimit do të punojmë bashkë për t’u siguruar se këto fonde do të shkojnë në vendin e duhur, atje ku japin efektin maksimal. Mbi të gjitha këto masa nuk interferojnë shumë në parimet bazike të konkurrencës, gjithmonë duke i respektuar udhëzimet e Komisionit Evropian dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare sa i përket ndërhyrjeve në ekonomi që po i bëjnë qeveritë e ndryshme”, është cituar të ketë thënë Hoti.

Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e funksionalizimit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik për të tejkaluar këtë periudhë, si dhe krijimin e një baze ligjore, përmes së cilës mund të identifikohen kursimet e krijuara nga projektet që nuk kanë arritur të realizohen si pasojë e pandemisë dhe me të njëjtat të krijohet një pjesë e konsiderueshme e mjeteve.

Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars.

Autoritetet deri më tani kanë regjistruar 1,269 raste të prekura me këtë virus.

Prej tyre, 31 pacientë kanë vdekur.