Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri të ditur se Kosova është gati që të rikthehet në procesin e dialogut me Serbinë.
Në një konferencë për media, presidenti Thaçi, vendimin e qeverisë për heqjen e masave të reciprocitetit, e quajti të rëndësishëm.
“Kosova e ka të qartë se çfarë kërkon në dialog, e kërkon njohjen reciproke dhe përshpejtim të rrugës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Në këtë, Kosova është bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë aleatët e tjerë. Nuk kemi çka të hezitojmë, është një rrugëtim i sigurt që ne kemi shpresë dhe do të përmbyllet sipas vullnetit të qytetarëve të vendit”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se në procesin e dialogut me Serbinë duhet lëvizur sa më shpejtë, që në këtë në mënyrë, sipas tij, Kosova të bëhet pjesë e NTAO-s dhe të anëtarësohet në të gjitha mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.
I pyetur nga gazetarët se a mund të arrihet marrëveshje me Serbinë brenda vitit, presidenti Thaçi tha se ka besim që gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur.
“Kam besim të plotë në energjinë dhe dinamikën e SHBA-së dhe presidentin Donalad Trump dhe ambasadorit (Richard) Grenell. Ne duam dhe destinacioni ynë është i qartë, që të jemi pjesë e familjes evropiane, por ne jemi të vetëdijshëm se punën e shpejtë në këtë proces e ka udhëhequr SHBA-ja”, tha Thaçi.
Në të njëjtën kohë, Thaçi shtoi se Kosova do të punojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në fillim të këtij viti, si marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd dhe autostradën që lidh Kosovën me Serbinë dhe gjithashtu edhe linjat hekurudhore Kosovë – Serbi.
Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.