Mosrespektimi i masave mbrojtëse ka rezultuar me rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, thanë përfaqësues të autoriteteve shëndetësore në vend.
Në Kosovë vetëm gjatë ditës së dielës janë regjistruar 40 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Nisur nga rritja e numrit të rasteve me koronavirus, autoritetet shëndetësore iu bëjnë thirrje qytetarëve për respektim të masave mbrojtëse: si ruajtja e distancës fizike, mbajtja e maskave si dhe higjiena personale.
Gjatë një vizitë në pikën kufitare në Vërmicë, që lidh Kosovën me Shqipërinë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kërkoi nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm gjatë lëvizjes së tyre.
“Të gjitha ata që hyjnë në Kosovë të respektojnë masat konkrete të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike”, tha Zemaj.
Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se nëse Instituti e sheh se qytetarët që nuk po përfillin këto rekomandime, do të ndërmarrin masa rigoroze deri në kufizimin e lëvizjes apo qarkullimit.
“Kalimi i kufirit në mënyrë të lirë nuk nënkupton që ne do të rrezikojmë shëndetin e qytetarëve të Kosovës apo të Shqipërisë. Kalimi dhe lehtësimi i masave nënkupton lëvizjen e lirë duke u mbrojtur, duke rekomanduar të gjitha masat si distanca fizike, bartja e maskave dhe higjiena personale”, tha Ramadani.
Qeveria e Kosovës, një ditë më parë ka miratuar disa masa lehtësuese të rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Në Kosovë nga 8 qershorit, është hequr orari i kufizimit të lëvizjes të qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Po ashtu qytetarët që hyjnë në Kosovë, përmes kufijve tokësorë, nuk do të detyrohen që të vetizolohen për shtatë ditë, por ata do të kontrollohen në kufi nga ekipet mjekësore.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë u regjistruan më 13 mars.
Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus më 13 mars, janë regjistruar 1,234 raste dhe 31 pacientë kanë vdekur dhe 890 pacientë janë shëruar.