Vuçiq: Shfuqizimi i reciprocitetit, vendim i mirë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se është ide e mirë heqja e të gjitha pengesave tregtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky reagim i presidentit serb, vjen pak kohë pasi Qeveria e Kosovës votoi për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, që ishin vendosur më 1 prill.

“(Presidenti i Kosovës, Hashim) Thaçi e bëri këtë sepse donte të thoshte ‘nuk më intereson BE-ja, më intereson vetëm SHBA-ja’. Ne nuk jemi në të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se (Kosova) është fëmija i tyre (SHBA-së). Nga ana tjetër, është një ide e mirë për të hequr të gjitha pengesat tregtare midis Prishtinës dhe Beogradit. Unë thjesht dua të theksoj se ne nuk jemi në të njëjtin pozicion”, tha Vuçiq gjatë një interviste dhënë sot për televizionin serb, Prva.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti tha se shfuqizimi i vendimit për masat e reciprocitetit, është bërë për t’i hequr të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut.

Por, ai kërkoi që edhe Serbia të heqë pengesat, siç është fushata për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës.

Fillimisht taksa 100 për qind e vendosur në fund të vitit 2018 dhe më pas reciprociteti i vendosur ndaj Serbisë në prill të këtij viti, janë parë si pengesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë në fund të vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind. Beogradi ka kërkuar heqjen e të gjitha pengesave, në këmbim të kthimit në tavolinën e bisedimeve.