I mandatuari për kryeministër të ri të Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar planin e tij qeverisës në nisje të seancës së Kuvendit të Kosovës.
Hoti ka thënë se qeveria që ai do të drejtojë do të ketë dy prioritete kryesore; e para luftimi i pandemisë së koronavirusit të ri dhe i dyti, rimëkëmbja ekonomike.
Duke folur për prioritetet, Hoti tha se së bashku me partnerët e tjerë qeverisës do të kujdesen edhe për prioritetet e tjera si forcmimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, marrja e përgjegjësive kushtetuese për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me përfshirje të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”, deklaroi Hoti.
Sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, Hoti tha se do të krijohet fondi për rimbëkëmbje ekonomike, pasi sipas tij, dëmet nga pandemia e koronavirusit të ri mund të jenë të paparashikueshme.
Hoti ka premtuar mbështetje për bizneset për të tejkaluar krizën ekonomike që ka shkaktuar pandemia.
Të drejtën për formimin e qeverisë nga LDK-ja e njohu Gjykata Kushtetuese e Kosovës që shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re.
Dekretin e presidentit e dërgoi në kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje që pretendonte se nuk kishte shfrytëzuar të drejtën e saj kushtetuese për të propozuar mandatarin e ri.
Qeveria Kurti u rrëzua në muajin mars pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi në Kuvend.
Seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet qeveria e re, po e udhëheq nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala dhe jo kryeparlamentarja, Vjosa Osmani e cila ka qenë një kundërshtare e mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti.