Qeveria në detyrë ndan 12 milionë euro për pakon emergjente fiskale

Qeveria në detyrë e Kosovës. Foto nga arkivi.

Qeveria në detyrë e Kosovës, ka miratuar ndarjen e 12 milionë eurove për zbatimin e pakos emergjente fiskale.

Pakoja ishte miratuar me 30 mars, me qëllim të zbutjes së ndikimit të pandemisë së koronavirusit të ri në ekonominë e vendit.

Më 17 maj, qeveria në detyrë kishte bërë ndarjen e mbi 10 milionë eurove për masat që do të ndërmerren në kuadër të kësaj pakoje.

Shuma e përgjithshme e pakos emergjente kap shifrën prej rreth 180 milionë euro.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të publikuar së voni, ka paralajmëruar se situata pas pandemisë, më shqetësuese pritet të jetë në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kosova.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit të publikuar më 29 mars parasheh një rënie ekonomike prej 4,5 për qind në Kosovë.

Në këtë mbledhje, qeveria në detyrë ka ndarë 60 mijë euro për familjet e dy punëtorëve që vdiqën të martën derisa po punonin në minierën e Artanës.

Kabineti qeveritar mori edhe disa vendime të tjera, mes tjerash edhe shkarkimin e bordit të drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica.

Votimi në qeveri ndodhi para mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet kabineti i ri qeveritar, kryeministër i së cilit pritet të jetë Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Të drejtën për formimin e qeverisë nga LDK-ja e njohu Gjykata Kushtetuese e Kosovës që shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatimin e Avdullah Hotit si kandidat për formimin e qeverisë së re.