Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai po mobilizon të gjitha burimet federale, civile dhe ushtarake, për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet e gjera të nxitura nga vrasja e një personi me ngjyrë - të paarmatosur – gjatë ndalimit nga ana e policisë.
Trump tha më 1 qershor se ai do të vendosë forcat ushtarake amerikane, përveç nëse guvernatorët zbatojnë rekomandimin e tij, për të vendosur Gardën Kombëtare, në numër të mjaftueshëm për të "dominuar situatën ".
Presidenti mund të përdorë Aktin e Kryengritjes të epokës së luftës civile për të vendosur në rrugë ushtarët amerikanë.
Akti lejon vendosje të tilla për qëllime të zbatimit të ligjit në raste ekstreme.
Vendosjet e mëparshme të trupave amerikane në tokën amerikane, kanë ndodhur kryesisht për të ndihmuar amerikanët në raste urgjente, siç janë fatkeqësitë natyrore, dhe kanë ndodhur vetëm në koordinim me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë.
Trump gjithashtu shprehu keqardhje për vandalizmin që ndodhi më 31 maj në Uashington dhe gjetkë.
Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë - njëri prej të cilëve i bëri presion me gju në qafë.
Të hënën, qindra njerëz u tubuan në një park pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, për të protestuar për vdekjen e afrikano-amerikanit në Mineapolis të Minesotës.
Policia u rreshtua përgjatë hyrjes së parkut ndërsa protestuesit brohorisnin “jeta e afrikano-amerikanëve ka vlerë”, “duart lart, mos qëllo” dhe “pa drejtësi nuk ka paqe”.
Policët përdorën gaz lotsjellës pasi disa protestues hodhën shishe të plastikës në drejtim të tyre.
Si filluan trazirat?
Disa video të publikuara treguan sesi një polic i bardhë, gjatë arrestimit të George Floyd, bëri presion me gju në qafën e tij, teksa ka tentuar ta arrestojë, ndërsa Floyd dëgjohej duke bërtitur "të lutem, nuk mund të marr frymë" dhe "mos më vrit".
George Floyd më vonë ka vdekur në spital. Videoja e incidentit nuk tregon se si nisi konfrontimi.
Katër oficerët e përfshirë në çështjen Floyd janë pushuar nga puna. Ndaj policit që shihej tek bënte presion me gju në qafën e viktimës, është ngritur kallëzim penal.
Vdekja e Floyd-it është ngjarja e fundit në një seri rastesh të ngjashme të brutalitetit të policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, përfshirë shumë raste të kapura tjera të cilët kalimtarët i kanë incizuar me telefonat e tyre dhe më pas janë publikuar nga mediat.
Trazirat filluan në Mineapolis dhe u përhapën në të gjithë SHBA-në që nga vdekja e Floydit më 25 maj.
Biden: Do të merrem me "racizmin institucional"
Në një reagim ndaj krizës, ish nënpresidenti amerikan, Joe Biden, njëherësh kandidat i demokratëve për president në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, u zotua se do të adresojë “racizmin institucional në 100 ditët e tij të para në detyrë”.
Pa ofruar detaje, Biden premtoi se do të merrej me këtë çështje dhe të krijonte një organ mbikëqyrës për policinë në 100 ditët e tij të para në detyrë, nëse zgjidhet president.
Në New York, guvernatori demokrat, Andrew Cuomo, hodhi poshtë thirrjen e Trumpit për të vendosur trupat ushtarake.
"Unë them faleminderit, por jo faleminderit," tha Cuomo në CNN më 1 qershor.
Më herët, presidenti amerikan, Donald Trump i ka cilësuar guvernatorët e Shteteve të Bashkuara si “të dobët” dhe u ka bërë thirrje që të autorizojnë veprime më të ashpra për të ndalur protestat.
“Duhet të arrestoni njerëzit, duhet të ndjekni njerëzit, duhet t’i burgosni për 10 vjet dhe nuk do të shihni më kurrë diçka të tillë”, është cituar të ketë thënë ai, sipas një audio-incizimi të siguruar nga rrjeti CBS News.
Të hënën u publikuan rezultatet e një autopsie të porositur nga familja Floyd, rezultatet e së cilës thanë se George Floyd ka vdekur nga asfiksia.
Ai ka vdekur për shkak të presionit që i është bërë në qafë nga zyrtarë policorë, kanë thënë ekspertë mjekësorë të angazhuar nga familja e tij.
Të gjeturat dallojnë nga autopsia zyrtare e kryer nga ekspertë mjekësorë të qarkut të Mineapolis.
Reagime nga BE-ja
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, u tha gazetarëve më 2 qershor se "sikurse njerëzit e Shteteve të Bashkuara, edhe ne jemi të tronditur dhe tmerruar nga vdekja e George Floyd", ndërsa paralajmëroi që zyrtarët ligjorë nuk duhet të përdorin "kapacitetet e tyre në mënyrën që janë përdorur në këtë rast".
"Ky është një abuzim i pushtetit dhe kjo duhet të denoncohet," tha ai, duke shtuar se të gjitha shoqëritë "duhet të qëndrojnë vigjilente ndaj përdorimit të tepërt të forcës" dhe të sigurojnë që puna e policisë të bëhet duke respektuar rregullin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.