Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai po mobilizon të gjitha burimet federale, civile dhe ushtarake, për të ndaluar trazirat dhe plaçkitjet e gjera të nxitura nga vrasja e një personi me ngjyrë - të paarmatosur – gjatë ndalimit nga ana e policisë.
Trump tha më 1 qershor se ai do të vendosë forcat ushtarake amerikane, përveç nëse guvernatorët zbatojnë rekomandimin e tij, për të vendosur Gardën Kombëtare, në numër të mjaftueshëm për të "dominuar situatën ".
Presidenti mund të përdorë Aktin e Kryengritjes të epokës së luftës civile për të vendosur në rrugë ushtarët amerikanë.
Akti lejon vendosje të tilla për qëllime të zbatimit të ligjit në raste ekstreme.
Vendosjet e mëparshme të trupave amerikane në tokën amerikane, kanë ndodhur kryesisht për të ndihmuar amerikanët në raste urgjente, siç janë fatkeqësitë natyrore, dhe kanë ndodhur vetëm në koordinim me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë.
Trump gjithashtu shprehu keqardhje për vandalizmin që ndodhi më 31 maj në Uashington dhe gjetkë.
Afrikano-amerikani, George Floyd, 46 vjeç, vdiq javën e kaluar, pasi u ndalua nga oficerët policorë - njëri prej të cilëve i bëri presion me gju në qafë.
Trazirat filluan në Mineapolis dhe u përhapën në të gjithë SHBA-në që nga vdekja e Floydit më 25 maj.
Gjatë fundjavës, demonstrues në Kanada, Mbretëri të Bashkuar dhe Gjermani u mblodhën po ashtu për të shfaqur mbështetje për protestat.