Pulsi Publik: Qytetarët rrisin besueshmërinë ndaj institucioneve

Ilustrim

Qytetarët e Kosovës kanë shënuar rritje të kënaqshmërisë ndaj punës së institucioneve kyçe ekzekutive dhe legjislative në vend.

Sipas anketës Pulsi Publik të realizuar nga UNDP, kënaqshmëria e regjistruar me punën e ekzekutivit është 60.7%, që përbën një rritje prej 46.3 pikë përqindje nga anketa e nëntorit 2019 kur ishte 14.4%.

Gjetjet e kësaj ankete tregojnë se 65.4 % e qytetarëve janë të kënaqur me punën e kryeministrit, derisa 72.4 % është kënaqshmëria me punën e kryetares së Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, përkundër rritjes së niveleve të kënaqshmërisë me institucionet kyçe, ka rritje të pakënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës. Më shumë se gjysma e të anketuarve (62.8%) janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës.

Ndryshe, sipas të dhënave të anketës sipas përkatësisë etnike, tregojnë se COVID-19 ka ndikuar negativisht në mirëqenien ekonomike të të gjithakomuniteteve etnike.

Sipas rezultateve, 65.7% e shqiptarëve dhe serbëve dhe 74.5% e pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës raportuan ndikim negativ të COVID-19 në mirëqenien e tyre ekonomike.