Rrjeti social Twitter, për herë të parë, i etiketoi dy postime të presidentit amerikan, Donald Trump, si “të pabaza” dhe tha se ai po përhap pretendime të rreme.
Postimet e Trumpit “pretendojnë rrejshëm” se votat me postë do të sjellin “zgjedhje të falsifikuara”, tha Twitter.
Nën postimet e tij, kompania ka shkruar me të kaltër: “Sillni fakte për votat me postë”.
"Kontrolluesit e fakteve thonë se nuk ka prova se fletët e votimit me postë lidhen me mashtrim të votuesve", tha Twitter.
Trump reagoi, duke e akuzuar kompaninë për “ndërhyrje” në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në SHBA dhe tha se Twitter i bazon informacionet e tij në “lajme të rreme”.
“Twitter është duke e ngufatur plotësisht fjalën e lirë dhe unë, si president, nuk do ta lejoj që të ndodhë kjo”, shkroi Trump në Twitter.
Vendimi i kompanisë për të etiketuar postimin e presidentit vjen pasi ajo është vënë nën presion të shtuar për të mos lejuar përhapjen e lajmeve të rreme dhe llogaritë e rreme.