Qeveria franceze, nuk dëshiron që këtë verë, qytetarët e saj, të udhëtojnë jashtë vendit dhe u rekomandon atyre që të kalojnë pushimet në Francë, tha të dielën ministrja franceze e Mjedisit, Elisabeth Borne.
Në fillim të këtij muaji, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ka të ngjarë që francezët nuk do të munden të udhëtojnë këtë verë, madje, sipas tij, edhe udhëtimet brenda Evropës, mund të kufizohen, për të zvogëluar rrezikun e një vale të dytë të epidemisë së koronavirusit.
Ministrja Borne, në një intervistë për radion France Inter, gjithashtu tha se javën e ardhshme qeveria do të vendosë për lehtësimin e rregullave për udhëtimet brenda Francës.
Francezët aktualisht nuk mund të udhëtojnë më shumë se 100 kilometra larg shtëpisë.
Ajo tha se parqet e Parisit do të qëndrojnë të mbyllura, pasi kryeqyteti akoma hyn në kategorinë e një "zone të kuqe" të rrezikshmërisë nga koronavirusi.
Kryetarja e Parisit, Anne Hidalgo, i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur qeverisë që të rihapë parqet, pasi banorët, të cilët kryesisht jetojnë në apartamente pa kopshte, kanë tendencë të mblidhen rreth parqeve të mbyllura, ku është e vështirë të respektohen rregullat e distancës fizike.