Liga spanjolle e futbollit, La Liga mund të rikthehet në fushë nga 8 qershori, ka thënë kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
Presidenti i Ligës, Javier Tebas ka thënë se shpreson që ndeshjet të nisin më 12 qershor, ndonëse La Liga ende nuk ka konfirmuar datën përfundimtare.
Lojtarët e kësaj lige kanë nisur stërvitjet në grupe të më pak se 10 personave gjatë kësaj jave.
“Spanja ka bërë atë që është dashur dhe tani horizontet e saj janë duke u hapur për secilin. Ka ardhur koha për të rikthyer aktivitetet e përditshme”, ka thënë Sanchez.
“Nga 8 qershori, La Liga do të rikthehet”.
Spanja është një prej vendeve të prekura më së keqi nga koronavirusi i ri.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky shtet ka regjistruar mbi 200,000 persona të infektuar dhe mbi 28,000 të vdekur me këtë virus.