Kryeministri në detyrë i Kosovë, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak është emëruar në fillim të muajit prill si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Në një komunikatë për media, thuhet se sa i përket dialogut kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përsëritur përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj,,
Sipas njoftimit për media, Kurti e ka falënderuar Lajçakun për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve. Ndërkaq, sa i përket liberalizimit të vizave, Kurti ka kërkuar që BE-ja të marrë një vendim sa më të shpejtë për qytetarët e Kosovës.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që prej fundit të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Serbia refuzoi t’i rikthehej tavolinës së bisedimeve pa heqjen e taksës.
Qeveria në detyrë e Kosovës, më 1 prill të këtij viti ka hequr taksën 100 për qind dhe ka vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë. Ky vendim u mirëprit nga BE-ja, por jo edhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkuan nga Prishtina zyrtare të heqë taksën, por pa vendosur parimin e reciprocitetit.