Hungaria dhe Sllovenia kanë rënë dakord për një rihapje graduale të kufijve të tyre deri më 1 qershor, tha ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.
"Rihapja e ekonomive tona nuk është e mundur pa rifilluar bashkëpunimin ndërkombëtar", shkroi në profilin e tij në Facebook, ministri Szijjarto.
"Prandaj, pa rrezikuar mbrojtjen e shëndetit, është e nevojshme një lehtësim i masave kufizuese të vendosura në kufij", tha ai.
Më 15 maj, Sllovenia u bë vendi i parë evropian që shpalli zyrtarisht fundin e epidemisë së koronavirusit.
Njerëzit të cilët arrijnë në Slloveni nga vendet e tjera të BE-së nuk do të duhet më të zbatojnë një karantinë të detyrueshme për të paktën shtatë ditë, siç ka ndodhur që nga fillimi i prillit, thuhej në njoftimin e qeverisë sllovene.
Por, ata që hyjnë në Slloveni nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së, me përjashtim të diplomatëve, duhet të hyjnë në karantinë në periudhë prej 14 ditësh.
Më 18 maj, qeveria e krahut të djathtë të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, tha se do të paraqesë një propozim në parlament, për të hequr dorë nga fuqitë e jashtëzakonshme të cilat iu dhanë për të luftuar pandeminë.