Mëngjesin e së hënës, u rihapën kafeteritë dhe restorantet në Kosovë, pas mbylljes për më shumë se dy muaj.
Në to ofrohet vetëm shërbimi ‘merre me vete’, që hyn në kuadër të fazës së dytë të lehtësimit të masave të izolimit, që ishin vendosur nga Ministria e Shëndetësisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Ky shërbim është i kushtueshëm sipas Burim Hashani, pronar i njërës nga kafeteritë në Rrugën ‘Rexhep Luci’, në Prishtinë.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se përkundër kësaj, janë të lumtur që u është lejuar të punojnë.
“Është njëfarë ndjenje e veçantë duke e parë këtë gjallëri më të madhe, pak qarkullim. Nuk kemi llogari me “take away” (merre me vete) në kafe për shkak shpenzimeve të mëdha që janë për punëtorë dhe qira, por prapë se prapë për të krijuar atë ndjenjën e shpresës”, thotë Hashani.
SHIKONI EDHE: Pandemia mund ta “falimentojë” gastronominëEdhe Haxhi Ukshini i cili menaxhon një lokal në qendër të Prishtinës, thotë se kanë mirëpritur vendimin për hapjen e kafeterive.
“Sipas mendimit tim, nuk mendoj që do të ketë ndonjë progres për arsye të pandemisë, tashmë po dihet, por me rëndësi që kemi startuar dhe shpresoj që të bëhet pak më mirë”, thotë ai.
Bashkë me gastronominë, në këtë fazë do të rihapen edhe bizneset si floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.
Në rrugë dolën edhe autobusët e Trafikut Urban, por duke u kujdesur për distancën fizike të udhëtarëve.
Kadri Azemi dhe Adem Sekiraqa që kishin vendosur të shfrytëzonin trafikun urban, thonë se është ndjenjë e mirë që autobusët janë kthyer në qarkullim.
“Normal që na kanë munguar autobusët, por tash është më mirë se si ishte, shumë më mirë është”, thotë Kadri Azemi.
SHIKONI EDHE: Distancimi fizik “i tremb” biznesetQytetari tjetër, Adem Sekiraqa, thotë ka respektuar në përpikëri masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë dhe ka qëndruar në shtëpi.
“Vuajtja për dy muaj brenda pa dalë fare ka ndikuar shumë dhe është mirë që janë hapur”, thotë ai.
Në fazën e dytë të lehtësimit të masave, qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i parafundit në letërnjoftim.
Po ashtu nga e hëna edhe klubet e futbollit në Kosovë, do të mund të rifillojnë stërvitjet. Kështu ka njoftuar Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi në Facebook.
“Këto aktivitete do të zhvillohen në pajtim me Udhëzimin për procesin stërvitor të dakorduar midis Federatës së Futbollit të Kosovës, MSH-së e IKSHPK-së dhe duke respektuar edhe Udhëzuesin e Përkohshëm për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19. Prej periudhës 18 maj deri më 1 qershor, në pajtim me këta udhëzues, klubet e futbollit do të mund të zhvillojnë vetëm aktivitete stërvitore, për të qenë gati që ndeshjet t’i zhvillojnë në qershor, në varësi të situatës epidemiologjike”, ka shkruar Hoti.
Lehtësimi i masave kishte filluar në fillim të këtij muaji, përkatësisht më 4 maj.
Në fazën e parë u hapën biznese si ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personal dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.
Faza e tretë, ndërkaq, pritet të hyjë në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës.
Në këtë fazë, do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19, Kosova kishte vendosur masat e para më 13 mars, menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.