Në Kosovë hyn në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave

Kosovo - A worker disinfects a shopping cart in a supermarket in Pristina on April 17, 2020,

Sot (18 maj) në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e dytë e lehtësimit të masave të izolimit, të cilat ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në këtë fazë parashihet të rihapen floktarët dhe sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, pra varianti ‘merre me vete’, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike me lista të stafit esencial, si dhe galeritë dhe muzetë.

Qytetarët do të kenë mundësi që të dalin dy herë në ditë, nga dy orë, varësisht nga numri i parafundit në letërnjoftim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë ky vendim është marrë pas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 985 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, nga të cilët 736 janë shëruar.