MPJD e Kosovës dënon ndërtimin e një kishe ortodokse në Batajnicë

Ilustrim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, ka thënë të shtunën se dënon ndërtimin e Kishës Ortodokse Serbe në Batajnicë, ”afër hapësirës ku janë gjetur trupat e mbi 700 shqiptarëve në një varrezë masive, të vrarë gjatë luftës së vitit 1999”.

“E konsiderojmë këtë një akt përçmimi të kishës dhe autoriteteve serbe ndaj viktimave shqiptare të këtij akti gjenocidal të Serbisë”, është thënë në deklaratën e kësaj ministrie në rrjetin social, Facebook.

Aty është thënë edhe se marrëveshja e paqes në mes të këtyre dy vendeve nuk mund të arrihet pa pranuar dhe kërkuar falje Serbia, për siç është thënë, kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.

“Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia do të jetë më e lehtë për të kur ajo të bëhet edhe si reflektim e pendim i Serbisë për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Më 2017, Fondi për të Drejtën Humanitare pati publikuar një dosje të titulluar “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë – OPERACIONI I FSHEHJES SË TRUPAVE”, në të cilën është thënë se prej vitit 2001, në varrezat masive që janë zbuluar në Serbi, janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve, shumica civilë që janë vrarë gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.

“744 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në Batajnicë, në periferi të Beogradit, së paku 61 në Petrovo Selo, dhe 84 në Liqenin e Peruqac. Së paku 52 trupa janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë”, është thënë në dosje.

Aty ishte thënë edhe se trupat e gjetura nëpër varrezat masive nëpër Serbi nuk kanë qenë vetëm të burrave, por edhe të grave dhe fëmijëve.

Si pasojë e luftës së viteve 1998/99, në Kosovë vazhdojnë të mbeten të zhdukur mbi 1,600 persona.