Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë thënë se mund të rivendosin masat e izolimit, në rast se do të vazhdojë rritja e numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 18 raste të reja me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.
Kjo shifër, sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është me e lartë se në ditët e kaluara.
"Nëse gjërat vazhdojnë të përkeqësohen sikurse ditët e fundit do të detyrohemi të bëjmë hapa pas. Rregullat janë bërë për tu respektuar dhe jo anashkaluar. Ne nuk e negociojmë shëndetin e qytetarëve me asgjë dhe me askënd", tha Manastirliu.
Ajo tha se si institucione shëndetësore e mbështesin lehtësimin e masave, por vetëm me kushtin që qytetarët të respektojnë rregullat.
"Kam një thirrje për të gjithë qytetarët, fakti që shumë prej jush nuk ka një të afërm, familjarë apo të njohur të prekur nga virusi nuk do të thotë që virusi nuk është i pranishëm. Aq më pak është kjo arsye për të mos zbatuar rregullat dhe për të ulur vigjilencën", ka thënë Manastirliu.
Deri më tani në Shqipëri janë testuar 12 mijë qytetarë dhe prej tyre mbi 900 raste kanë rezultuar pozitiv në COVID-19.