Ekonomia britanike rrezikon një "recesion të madh"

Londër

Kancelari britanik, Rishi Sunak, tha se është shumë e mundshme që ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar të jetë futur në një recesion të thellë.

Komentet pasojnë të dhënat e Zyrës së Statistikave Kombëtare që trgojnë se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është tkurrur për 2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti.

Ky rezultat thuhet se paraqet ritmin më të shpejtë të tkurrjes që nga kriza financiare e vitit 2008.

Duke folur për BBC-në, Sunak tha se “vetëm pak ditë të ndikimit të koronavirusit në mars” kanë çuar në rënie të ekonomisë.

"Tani ka shumë të ngjarë që ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar të përballet me një recesion të madh këtë vit”, tha Sunak.

Pandemia e koronavirusit ka bërë që pjesa më e madhe e ekonomisë britanike të mbyllet.

Lehtësimi i masave të izolimit ka nisur këtë javë, edhe pse numri i viktimave nga koronavirusi ka arritur në mbi 32,700 - që është më i larti në Evropë.

Mbretëria e Bashkuar është po ashtu ndër vendet me numrin më të madh të të infektuarve, me mbi 227,000.