Shteti verior në Indi, Uttar Pradesh ka miratuar një ligj të përkohshëm që lejon shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm, nëse një person shkakton vdekjen e dikujt duke e infektuar qëllimisht me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Sipas ligjit të miratuar të mërkurën, dënimi për “infektim të qëllimshëm” me virus, mund të jetë nga dy deri në pesë vjet burgim.
Mirëpo nëse dikush i shkakton vdekje ndonjë personi duke përhapur virusin, atëherë dënimi me burgim është më i ashpër, nga shtatë vjet në burgim deri në burgim të përjetshëm, bashkë me gjobë nga 3,970 deri në 6,610 dollarë.
Ky vendim ka ngjallur shumë kritika nga ekspertë të shëndetësisë, të cilët kanë thënë se kjo masë lë hapësirë për veprim nga shteti, ka raportuar agjencia e lajmeve, The Wire.
Mirëpo zyrtarët kanë thënë për të përditshmen, Times of India se qëllimi mbrapa këtij vendimi ka qenë “të inkurajohen njerëzit për të raportuar nëpër agjenci nëse dyshojnë se kanë qenë të infektuar me Covid-19”.
India deri më tani ka regjistruar gati 38,000 të infektuar dhe 1,886 të vdekur, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Indi.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë