Irani paralajmëron "përgjigjje shkatërruese" nëse vazhdon embargoja në armë

Presidenti iranian, Hasan Rohani.

Presidenti iranian, Hasan Rohani ka kërcënuar me “përgjigjje shkatërruese” nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë përpjekjet për të vazhduar embargon e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për armët e Teheranit, e cila do të skadojë më vonë gjatë këtij viti.

Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e nënshkruar në mes të Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore, ka kërkuar nga Irani të heqë dorë nga aktiviteti bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare, përfshirë edhe embargon e OKB-së për armët, që skadon në tetor.

Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr më 2018 nga kjo marrëveshje, pasi të njëjtën e ka konsideruar të keqe, dhe ka nisur fushatë të ashpër me sanksione që kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane.

Uashingtoni ka thënë se dëshiron që embargoja në armët e Iranit të vazhdohet.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është zotuar më 29 prill se do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të vazhduar këtë masë në tetor.

Megjithatë, anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia, të cilat synojnë të nënshkruajnë kontrata të reja me Iranin për armët, por edhe vendet tjera nënshkruese të marrëveshjes bërthamore, Franca, Gjermania dhe Britania, duket se do ta kundërshtojnë vazhdimin e embargos.

Në një fjalim televiziv më 6 maj, Rohani se vendimi i Uashingtonit për t’u larguar nga marrëveshja bërthamore ka qenë “budallallëk i madh”.

“Nëse Amerika dëshiron t’i kthehet marrëveshjes, duhet të heqë të gjitha sanksionet ndaj Iranit dhe të kompensojë gjithë dëmin e bërë pas rivendosjes së sanksioneve”, ka thënë presidenti iranian.

“Irani ka përgjigjje shkatërruese nëse vazhdohet embargoja për armët ndaj Teheranit”, ka shtuar ai.

Irani ka vazhduar gradualisht të heqë dorë nga pikat e marrëveshjes bërthamore, prej kur Uashingtoni ka hequr dorë nga pakti i njëjtë.

Uashingtoni beson së Irani është duke zhvilluar fshehur program bërthamor me kapacitete ushtarake derisa Teherani pretendon se ky program ka vetëm qëllime civile.