Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të hospitalizuar 36 persona të infektuar me COVID-19.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive, tha për Radion Evropa e Lirë se shumica e pacientëve janë në gjendje stabile.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi 36 pacientë me COVID-19, 29 prej tyre kanë gjendje shëndetësore stabile, ndërsa katër pacientë janë edhe me oksigjenoterapi, dhe tre pacientë tjerë janë në gjendje më të rëndë dhe duke marrë trajtimin e nevojshëm në repartin intensiv të Klinikës Infektive. Pacientët që janë në kujdes intenziv, janë në dializë të rregullt”, tha ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se nga fillimi i epidemisë me koronavirus kanë arritur të sigurojnë aparaturën e nevojshme për pacientët me hemodializë dhe seancat e pacientëve me COVID19 kryhen brenda Klinikës Infektive.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike në Kosovë nga data 8 shkurt deri më më 03 maj 2020, janë testuar gjithsej 8.287 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre pozitive rezultojnë 851 raste, 25 pacientë kanë vdekur dhe 381 janë shëruar.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.