Fillon lehtësimi i masave të izolimit në Kosovë

Një grua me maskë mbrojtëse gjatë kohës së pandemisë në Prishtinë.

Në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër COVID-19.

Sipas vendimit të ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, duke filluar nga sot (4 maj), hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personal dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Po ashtu, nga sot fillon edhe zgjatja e orarit të lëvizjeve të qytetarëve.

Orari i qarkullimit rregullohet sipas shifrës së parafundit të numrin personal të letërnjoftimit. Me orarin e ri, qytetarët kanë të drejtë të qarkullojnë 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite.

Lehtësimi i masave në Kosovë siç ka thënë më herë ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, do të zhvillohet në 3 faza.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Vendimit për lehtësim të masave është marrë pas rënies së numrit të rasteve të infektuar me COVID 19.

Bazuar në të dhënat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, ka arritur në 851 të infektuar, 25 të vdekur dhe 381 të shëruar.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që e shkakton koronavirusi, Kosova kishte vendosur masat e para më 13 mars, menjëherë pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus.