Gjykata Kushtetuese do ta shqyrtojë me urgjencë çështjen e dekretit të presidentit

Kosovo Constitutional Court

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se do ta trajtojë me urgjencë kërkesën e Vetëvendosjes për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjten dekretoi, Avdullah Hotin për kryeministër të ri të vendit.

"Përveç kësaj, në kërkesë, deputetët parashtrues kanë kërkuar nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullim të zbatimit të Dekretit në fjalë", thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Përkitazi me këtë kërkesë, Gjykata ka kërkuar nga palët e përfshira që komentet për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese, gjatë ditës së sotme.

"​Komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 1 maj 2020, në orën 12:00. Komentet përkitazi me meritat e kërkesës, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj 2020, në orën 16:00", thuhet në njoftim.

Bazuar në këtë afat kohor, mbase gjykata mund të marrë vendim shumë shpejt lidhur pezullimin ose jo të zbatimit të dekretit të shpallur nga presidenti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Vetëm pak çaste pas shpalljes së këtij dekreti, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar në Kuvend, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të shtunën, më 2 maj, me pikën e vetme, zgjedhjen e qeverisë së re.

Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.