Banka Botërore parasheh rënie të ekonomisë në Kosovë

Ilustrim.

Banka Botërore ka paraparë rënie të ekonomisë në Kosovë prej 4.5 për qind në vitin 2020, për shkak të sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Megjithatë ajo ka thënë se mund të ketë rikthim të rritjes më 2021.

Në raportin e publikuar të mërkurën është thënë se “Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh, që mund të tejkalojë 120 milionë euro, për të mbështetur Kosovën në menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të koronavirusit”.

Ky program përfshin mes tjerash një projekt të ri me procedura të përshpejtuara për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit të shëndetësisë dhe për të mbrojtur të ardhurat e ekonomive familjare.

“Banka Botërore është e përkushtuar të mbetet partner i fortë për Kosovën gjatë këtyre kohërave të vështira dhe ekipet tona po punojnë për t’i ndihmuar Kosovës për t’iu përgjigjur sa më shpejt krizës së COVID-19”, ka thënë, Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.

“Pas aprovimit nga Banka Botërore, është i nevojshëm nënshkrimi i shpejtë i marrëveshjes nga Qeveria si dhe ratifikimi nga Kuvendi për të siguruar që fondet janë në dispozicion për të përfituar Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë mes tjerash ai.

Sipas këtij raporti, shpërthimi i pandemisë me koronavirus dhe masat e nevojshme të frenimit të saj janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancet nga diaspora.

Raporti i fundit përqendrohet në ndikim makroekonomik të këtij virusi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 790 persona të infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.