Kosovë: 31 të shëruar, 10 të infektuar nga koronavirusi i ri

Ilustrim.

Pas 250 testeve të bëra të martën në Kosovë, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Ai po ashtu ka njoftuar se edhe 31 pacientë janë shëruar nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

“Të bashkuar dhe të kordinuar e me përkushtim do ia dalim. Kujdesi duhet të vijojë njëjtë si deri tani, sakrifica e secilit po i jep rezultatet. Ndaj le të jemi të vëmendshëm e solidarë si deri tani”, ka thënë mes tjerash Vitia.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 790 persona janë infektuar, 232 të shëruar dhe 22 të vdekur, si pasojë e koronavirusit të ri.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.