Lojërat Olimpike Tokio 2020, që tashmë janë shtyrë për shkak të koronavirusit, do të anulohen, nëse pandemia nuk vihet nën kontroll vitin e ardhshëm, paralajmëroi kryetari i komitetit organizues.
Lojërat, që kanë qenë të parapara të zhvillohen nga data 24 korrik deri më 9 gusht, janë shtyrë muajin e kaluar për një vit.
Kryetari i Tokio 2020, Yoshiro Mori, i tha të përditshmes japoneze Nikkan Sports, se Lojërat nuk mund të shtyhen përtej vitit 2021, nëse bota nuk e mposht pandeminë.
“Në atë rast, Lojërat anulohen”, tha Mori.
Shtyrja e Lojërave ka qenë e para në historinë 124-vjeçare të Olimpiadës moderne, megjithëse ato janë anuluar disa herë për shkak të luftës - përfshirë Lojërat e Tokios më 1940.
Në një tjetër zhvillim, kreu i Shoqatës Mjekësore të Japonisë, Yoshitake Yokokura, po ashtu tha se mbajtja e Lojërave do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë” vitin e ardhshëm, nëse nuk ka vaksinë kundër koronavirusit.
“Shpresoj se vaksina dhe barnat do të zhvillohen sa më shpejt që është e mundur”, tha Yokokura në një konferencë për media në Tokio.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.