Në Gjykatën Speciale në Hagë paraqitet edhe një aktakuzë

Gjykata Speciale në Hagë

Në Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Kosovë është paraqitur edhe një aktakuzë e re.

Në njoftimin e këtij institucioni, me seli në Hagë, thuhet se kryetarja e trupit gjykues ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake “për të shqyrtuar një aktakuzë të re, të paraqitur nga një prokuror i specializuar".

"Përmbajtja e aktakuzave mbahet konfidenciale derisa ato të konfirmohen nga gjykatësi i procedurës paraprake", thuhet në njoftim.

Gjykatësi ka maksimum gjashtë muaj kohë për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Prokurori i specializuar, Jack Smith, ka paraqitur edhe një aktakuzë në shkurt, e cila është në proces të konfirmimit.

Kryetarja, edhe për procedurën e parë paraprake, edhe për të dytën, ka caktuar gjykatësin Nicolas Guillou.

Çfarë janë procedimet paraprake?

Procedimet paraprake nisin kur prokurori i specializuar e çon aktakuzën për shqyrtim te gjykatësi i procedurës paraprake.

Aktakuza konfirmohet vetëm nëse mbështetet në prova të mjaftueshme.

Në rast se aktakuza konfirmohet, i akuzuari paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake dhe deklarohet rreth fajësisë.

Nëse i akuzuari thotë se nuk është fajtor, atëherë pasojnë fazat tjera të procedurës paraprake.

Nëse e pranon fajin, caktohet shqiptimi i dënimit.

Nëse aktakuza nuk konfirmojet, atëherë lënda hidhet poshtë.

Gjykata Speciale - me emrin Dhomat e Specializuara - funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t'u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UKÇ-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.