Dekreti i Thaçit për qeverinë zvarrit dërgimin e lëndës në Kushtetuese 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka bërë ende publike letrën zyrtare me të cilën i kërkon Lidhjes Demokratike të Kosovës nisjen e procesit politik për formimin e qeverisë së re. Kjo letër, vlerësohet se ka rëndësi jo vetëm politike, por edhe kushtetuese-juridike, pasi që me publikimin e saj, çështja pritet pastaj të kalojë për interpretim dhe aktgjykim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Një veprim të tillë, e ka paralajmëruar vet kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili në dy-tri raste ka deklaruar se sapo ta ketë në dorë shkresën zyrtare të presidentit, ai me ekipin e tij ligjor, do t’i drejtohen Gjykatës, duke pretenduar se presidenti po e shkel Kushtetutën duke ia ofruar mandatin LDK-së për formimin e qeverisë dhe anashkaluar partinë fituese të zgjedhjeve, përkatësisht Lëvizjen Vetëvendosje.

Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes dhe ministrja e Drejtësisë në qeverinë në largim, Albulena Haxhiu ka shkruar në Facebook në lidhje me letrën e presidentit e cila nuk është bërë ende publike.

“Çka u bë tash? Pse nuk e publikojnë këtë shkresë? Pse ky terr informativ? Pse kjo mungesë absolute e transparencës?”, ka shkruar Haxhiu, duke rikujtuar se javët e kaluara të gjitha letrat që i drejtoheshin liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti me të cilat i kërkohet ta publikonte emrin e mandatarit, bëheshin publike.

“Meqë Presidenti është kaq i sigurt për veprimet e veta, le të urdhërojë e ta publikojë. E njëjta vlen edhe për kryetarin e LDK-së”, ka shkruar ajo, duke nënvizuar se presidenti dhe kreu i LDK-së “janë të vetëdijshëm për arbitraritetin e tyre dhe se kjo është shkelje e Kushtetutës me paramendim".

Letra apo shkresa e Thaçit dërguar LDK-së do të duhej të ishte publike, thotë analisti politik dhe njohësi i aspekteve juridike-kushtetuese nga Demokraci Plus, Albert Krasniqi.

Ai tha po ashtu se Vetëvendosje mund të kontestojë veprimet e presidentit edhe pa letrën apo dekretin e tij me të cilën i jep të drejtën LDK-së të formojë qeverinë.

“Konsideroj që edhe veprimet e presidentit mund të kontestohen pa pasur nevojë që të ketë një dekret nga ana e tij, sepse Kushtetuta e thotë edhe një gjë të tillë”, thekson Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

“Kështu që në rast se Vetëvendosje arrin që ta dërgojë më herët kërkesën për një interpretim në Gjykatën Kushtetuese, nga praktikat e kaluara kur është kërkuar nga Gjykata efekti i pezullimit të vendimeve, ajo ka marrë vendim brenda pesë ditëve nga pranimi i lëndës”, thekson ai.

SHIKONI EDHE: Kurti apo Hoti - kontesti që mund t'i kalohet Kushtetueses

Në këtë rast, Krasniqi thotë se mund të supozohet që Gjykata Kushtetuese do të merrte një vendim për të pezulluar vendimmarrjen në Kuvend për zgjedhjen e kryeministrit të ri, çka do të sillte si efekt që qeveria Kurti të mbeste në detyrë deri në nxjerrjen e aktgjykimit përfundimtar.

“Por, në rast se Vetëvendosje nuk e dërgon paraprakisht lëndën në Gjykatë dhe Kuvendi e zgjedh kryeministrin e ri, atëherë Kurti duhet t’ia lironte zyrën kryeministrit të ri, sepse do të kishte një vendim nga Kuvendi dhe kështu LDK me qeverinë e saj do të vinte në pushtet dhe mandej do të pritet derisa Gjykata Kushtetuese të merr një vendim mbi bazën e një kërkesë të Vetëvendosjes”, thekson Krasniqi.

Ai vë në pah rëndësinë që ka zënia e hapit se kush ndërmerr veprimin së pari.

“Konsideroj se Kuvendi mund të shkojë me vendim, nëse ka një kërkesë të presidentit për zgjedhjen e mandatarit, por edhe të ketë veprime pastaj nga Vetëvendosja në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai.

Përpos Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me raportin dhe rolin e presidentit në procesin e formimit të Qeverisë, Zyra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, paralajmëron se do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

“Jemi duke shqyrtuar format se si dhe kohën se kur një gjë e tillë mund të ndodhë", kanë thënë nga Zyra e Kryeministrit.

SHIKONI EDHE: Gjykata Kushtetuese ka fuqinë të krijojë stabilitet politik

Në anën tjetër, LDK, përmes zyrtarëve të saj, ka përsëritur edhe të hënën se është në fazën përmbyllëse të negociatave me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe pakicat jo serbe për shpalljen e koalicionit të ri qeverisës. Ndërkaq mbetet ende e paqartë nëse pjesë e koalicionit do të jetë edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, e cila përfaqësohet me dy deputetë në Kuvend. Sipas LDK-së, votimi në Kuvend për qeverinë e re do të ndodhë këtë javë.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë për televizionin publik se në qeverinë e re, LDK do të marrë 7 ministri, AAK-ja 4, Nisma Socialdemokrate 2, kurse partitë nga radhët e pakicave ministritë tjera. Por, LDK nuk ka treguar ende se sa do të jetë numri i ministrive në qeverinë e re. Qeveria aktuale në detyrë, ka 15 ministri.

Kurse në lidhje me parashikimet se LDK mund të ketë vështirësi t’i sigurojë 61 vota në Kuvend për formimin e qeverisë, Selmanaj ka thënë se pret që qeveria e re të mbështetet nga 67 deputetë.

Qeveria aktuale në detyrë e kryeministrit Albin Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend më 25 mars, ende pa i mbushur dy muaj të funksionimit të saj. Që atëherë, presidenti i Kosovës i ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

Më 22 prill, presidenti Thaçi ka konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së.