Kryeparlamentarja Osmani: Të pagjeturit, plagë për shoqërinë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi nga institucionet vendore dhe mekanizmat ndërkombëtarë që të punojnë më shumë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

“Mbajtja peng e fatit të tyre është dhunim i të drejtave të njeriut, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre e ndaj vendit tonë. Familjet kanë të drejtë të dinë për fatin e tyre”, tha Osmani.

Mbi 1,600 persona vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, më 1998/99.

Osmani tha se çështja e tyre është një plagë e hapur për shoqërinë, e cila duhet trajtuar.

“Asnjë marrëveshje politike nuk mund të arrihet dhe nuk do të jetë e plotë nëse nuk ka krijuar drejtim të qartë për zbardhjen e fatit të të dashurve tanë”, tha Osmani.

Familjarë të personave të zhdukur kanë kërkuar disa herë nga autoritetet e Kosovës që çështjen e të pagjeturve ta përfshijnë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lexoni edhe këtë: