KP i LDK-së mbështet Avdullah Hotin për kryeministër të ardhshëm

Avdullah Hoti, foto nga arkivi.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbështetur propozimin e kryesisë së partisë që Avdullah Hoti të përcaktohet për kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur përmes një shkrimi të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, të bërë në faqen zyrtare të LDK-së në Facebook.

“Nga 124 anëtarë aktualë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 117 anëtarë të KP, prej tyre 115 janë shprehur po, 2 janë shprehur kundër, abstenime nuk ka, dhe 7 nuk janë përgjigjur. Në bazë të kësaj, si kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së vendosi që Avdullah Hoti ta përcaktojë kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

Pas këtij nominimi që ka bërë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së për Hotin, çështja do t’i kalohet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që t’ia japë mandatin për formim e qeverisë.

Formimi i qeverisë kalon përmes procedurës së votimit në Kuvendin e Kosovës, me të paktën 61 vota për. Qeveria e re, sipas formulës së LDK-së, pritet të ndërtohet mbi bazën e koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe komunitetet tjera joshumicë.