Maqedonia e Veriut shënon ulje të infektimeve nga koronavirusi

Shkup

Maqedonia e Veriut ka regjistruar ditën e parë me numrin më të vogël të të infektuarve me koronavirus, që nga paraqitja e rastit të parë më 27 shkurt në qytetin e Dibrës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar vetëm 7 raste dhe asnjë prej tyre në Shkup, që ka numrin më të madh të të infektuarve në vend. Në Tetovë janë regjistruar tre të infektuar, dy në Kumanovë dhe dy në qytetin e Koçanit.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1231 kurse numri i personave të shëruar ka arritur në 224. Është regjistruar edhe një viktimë, me çka numri i të vdekurve ka arritur në 55.

“Ne tani jemi në një fazë në të cilën masat që kemi aplikuar janë më të ashprat apo në kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Vlerësojmë se këto masa po japin rezultate dhe dalëngadalë po bëhemi gati edhe për fazën të dytë, të majës së virusit që besoj se tani më jemi aty afër, që jeta të mund të kthehet në gjendjen normale”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe duke tërhequr edhe njëherë vërejtjen se gjendja nuk do të mund të jetë e njëjtë sikur edhe para pandemisë andaj edhe popullata sipas tij si në gjithë botën ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut duhet të jetë e gatshme për sjellje dhe masa të reja kujdesi.

SHIKONI EDHE: Maqedoni e Veriut: Qeveria harton strategji për lehtësimin e masave

“Dua të dërgoj një mesazh të qartë se nuk do të mund që shpejt dhe me intensiteti të njëjtës të kthehet jeta normale dhe kapacitetet ekonomike. Sikur në gjithë botën edhe tek ne gjithçka do të zhvillohet me kujdes maksimal pasi ekziston rrezik dhe për valë të re të virusit”, ka deklaruar ministri Filipçe.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, mbi 700 persona që janë kthyer nga shtete tjera kanë përfunduar karantinën shtetërore, dhe janë futur në vetizolim prej 14 ditësh. Kjo shifër që nuk ka rezultuar me asnjë të infektuar gjithashtu shihet si pozitive në luftimin e përhapjes së virusit. Që nga fillimi i pandemisë në karantinë shtetërore kanë kaluar rreth 3 mijë ndërsa mbi 12 mijë në vetizolim.

Maqedonia e Veriut në karantinë 85-orëshe

Shkupi dhe Tetova gjatë karantinës

Drejtuesit e institucioneve kanë bërë të ditur se tani më kanë hartuar plane për mbrojtjen shëndetësore në muajt e ardhshëm duke përcaktuar objekte të veçanta që do të trajtojnë ndaras të sëmurët nga virusi sezonal dhe koronavirusi.

Ministria e Punëve të Brendshme ndërkohë ka njoftuar se gjatë orës policore që ka zgjatur nga e premtja në orën 16.00 e deri të martën në orën 05.00, gjithsej 117 persona kanë shkelur masën e ndalimit të lëvizjes dhe 89 prej tyre janë shoqëruar në polici.