Trump paralajmëron urdhër ekzekutiv për pezullimin e imigrimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht imigrimin në SHBA, për shkak të koronavirusit.

Në një postim në Twitter, Trump përmendi “sulmin e armikut të padukshëm” - siç i referohet ai koronavirusit - dhe nevojën për të mbrojtur vendet e punës për amerikanët, por nuk dha më shumë detaje.

Nuk është e qartë se cilat programe do të preken dhe nëse presidenti do të jetë në gjendje për të zbatuar urdhrin.

Kritikët thonë se qeveria është duke e shfrytëzuar pandeminë për të goditur imigrimin.

Njoftimi i Trumpit erdhi pasi Shtëpia e Bardhë tha se më e keqja e pandemisë ka kaluar dhe se SHBA-ja mund të nisë të rihapë ekonominë.

SHBA-ja ka numrin më të madh në botë të të infektuarve me koronavirus dhe të viktimave që lidhen me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Mbi 780,000 njerëz janë infektuar atje dhe mbi 42,000 kanë humbur jetën.

Gjatë katër javëve të kaluara të izolimit, mbi 20 milionë amerikanë kanë mbetur pa punë.