Rritja e akcizave të derivateve të naftës shihet si alternativë për të mbushur arkën e shtetit e cila gjithnjë e më shumë është bosh për shkak të goditjes që i ka dhënë ekonomisë së Maqedonisë së Veriut koronavirusi, theksojnë ekspertët e ekonomisë, duke komentuar propozimin e Odës së Sipërmarrësve për të rritur akcizat për dy denarë.
Gjatë të premtes, propozimin e Odës së Sipërmarrësve për rritjen e akcizave, ministri i Ekonomisë e ka arsyetuar me çmimin më të ulët që ka benzina dhe dizelli krahasuar me vendet fqinje.
Por, ndaj propozimit për të rritur akcizat e derivateve të karburanteve, reagime të ashpra kanë ardhur menjëherë nga Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Shoqata e fermerëve, Shoqata e transportuesve.
SHIKONI EDHE: Koronavirusi godet ekonominë, mijëra largime nga punaPërderisa, për kryetarin e Odës së Sipërmarrësve, Branko Azevski me rritjen e akcizave në mënyrë direket do të mbushet arka e shtetit, me atë që pastaj shteti do të ketë mundësi të ndihmojë bizneset, për Lidhjen e Odave Ekonomike kjo mënyrë është e papranueshme, sepse siç kanë theksuar, Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i vetëm në botë që në këtë mënyrë do ta mbushë buxhetin.
“Qëllimi i rritjes së akcizave të derivateve është i dyshimtë për sa i përket burimit se nga vjen si propozim. Pra, kjo iniciativë vjen nga Oda e Sipërmarrësve të Maqedonisë së Veriut në krye me disa kompani të mëdha të cilat për momentin dëshirojnë të krijojnë një raport më të mirë me qeverinë".
"Të kuptohemi, asnjëherë biznesi nuk është kundër masave që paraqesin e mirë e përgjithshme dhe vetë akciza në asnjë mënyrë nuk do të thotë se do të ngarkojë vetëm biznesin, por përkundrazi ai i fundit që do ta paguajë atë, është qytetari”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Menderes Kuci, ish- kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore.
Edhe transportuesit kanë theksuar se me këtë masë do të goditen vetë transportuesit, kompanitë e vogla, fermerët, ndërkohë që oligarkëve siç kanë theksuar, nuk do tu mungojë asgjë.
Përderisa, njohësit e çështjeve ekonomike për Radion Evropa e Lirë theksojnë se në arkën e shtetit është duke u krijuar një vrimë e madhe që në çdo formë do të tentohet të mbyllet madje edhe përmes masave jopopulliste.
“Në këtë situatë, nuk mund të hartosh një strategji konkrete adekuate për të pas një baraspeshë të politikes buxhetore dhe doemos në këtë moment Ministria e Financave në bashkëpunim me Drejtorinë e të hyrave Publike dhe institucionet e tjera përkatëse bëjnë projeksione dhe do të duhet të planifikojnë se cilat masa janë më të duhurat për ta mbajtur në këmbë buxhetin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë.
SHIKONI EDHE: Kryeministri maqedonas dhe tre ministra vetizolohenPor, Marko Bslimovski, kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se trupi që ai kryeso mbështet idenë për rritjen e akcizave, pasi siç thekson nuk beson se rritja e akcizave do të godas xhepin e qytetarëve, megjithëse shton se për këtë cështje duhet të vendosë qeveria.
“Në lidhje me pjesën që ka të bëjë me akcizën për karburantet tjera të naftës, ky është vendim para së gjithash i Qeverisë dhe aty nuk do të kisha komentuar, për shkak se ata më së miri i dinë të hyrat të cilat në këtë moment i mbledhin në buxhet”, thotë Bislimovski.
Në Maqedoninë e Veriut, askush në këtë moment nuk mund të thotë me saktësi se në ç`masë do të goditet ekonomia nga pandemia me koronavirusin, sepse askush nuk e di, se edhe sa kohë do të zgjatë kjo situatë dhe kur do të fillojë të mëkëmbet.
Por, Banka Botërore vlerëson se ekonomia e Maqedonisë së Veriut do të shënojë rënie për 0.4 për qind, përderisa FMN ka dalë me analiza edhe më pesimiste duke vlerësuar bruto prodhimi vendor në Maqedoninë e Veriut do të shkojë gjatë këtij viti madje në minus katër për qind.
Ministria e Financave ka bërë të ditur se së shpejti do të dalë me analiza rreth projeksionit të Bruto Prodhimit Vendor, përderisa para fillimit të pandemisë së koronavirusit autoritetet e Maqedonisë së Veriut presin që gjatë këtij viti ekonomia e Maqedonisë të shënojë rritje prej 3.8 për qind.