Kryeparlamentarja Osmani fton qytetarët të raportojnë dhunën në familje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është bërë pjesë e fushatës kundër dhunës në familje.

Përmes një video-mesazhi të publikuar nga organizata “UN Women” , Osmani tha se më përhapjen e pandemisë së koronavirusit, po rritet edhe dhuna në familje.

Osmani i ftoi të gjithë qytetarët që të raportojnë rastet kur ata janë viktima të dhunës në familje.

Ftesë për të denoncuar rastet e dhunës kanë bërë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Autoritetet njoftuan se krahas luftës ndaj përhapjes së pandemisë së koronavirusit, kanë rritur edhe masat e reagimit për t'u dalë në ndihmë të gjitha rasteve, kur qytetarët raportojnë se janë viktima të dhunës në familje.

Përmes një apeli drejtuar qytetarëve, edhe Policia e Kosovës kërkoi nga qytetarët që të raportojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre.

Në muajin mars, Kosova shënoi rritje të numrit të rasteve të raportuara të dhunës në familje.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm në muajin mars u raportuan gjithsej 169 raste të dhunës në familje.

Që nga vendosja e masave të qëndrimit në shtëpi në luftën kundër përhapjes së koronavirusit të ri, në shumë vende të botës është raportuar për rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje.