Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një reagimi në Facebook, u deklarua kundër masave të reja, të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë.
Me këto masa, qytetarët e Kosovës, nga data 15 prill, do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një orë e gjysëm në ditë dhe atë vetëm për nevoja thelbësore.
Mustafa tha se vendosja e masave të tilla kufizuese në lëvizjen e qytetarëve nuk është veprim ligjor.
Këto masa, sipas tij, nuk mund të vendosen nga ministri në detyrë i Shëndetësisë.
“Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese. Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vetë ligji”, shkroi Mustafa në Facebook.
E vetmja zgjidhje, sipas tij, është që të hiqet kjo qeveri dhe logjikë qeverisëse dhe të krijohet një qeveri e re, e cila, siç tha Mustafa, së bashku me Kuvendin e Kosovës do t’i nxjerrë masat e domosdoshme për ta kapërcyer pandeminë e koronavirusit.
LDK-ja dhe Vetëvendosje – partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti – kanë hyrë në koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar.
Por, marrëveshja për qeverisje të përbashkët është prishur muajin e kaluar, pasi Kurti ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, për, siç ka thënë, mbajtje të qëndrimeve të kundërta me kryeministrin dhe kabinetin qeveritar.
Kosova aktualisht ka kryeministër dhe qeveri në detyrë.