Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kërkon nga institucionet e Kosovës që të bëhen ndryshime ligjore, me qëllim të lirimit të përkohshëm apo amnistisë së të burgosurve në kohën e pandemisë së koronavirusit.
QKRMT-ja thotë se shumë vende në rajon dhe vende evropiane kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese duke e adresuar këtë nevojë, ashtu që një numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi prej dënimit, pezullimi i dënimit, falja apo amnistia.
Kërkesa i është drejtuar Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe shefave të grupeve parlamentare, në mënyrë që ata t’i iniciojnë ndryshimet ligjore.
Kjo kërkesë i është dërguar edhe Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë, e cila tani është në detyrë.
Ditë më parë është raportuar për dy gardianë të infektuar me koronavirus në burgun e Mitrovicës.
Në total, Kosova ka konfirmuar 377 raste të të infektuarve me koronavirus; 8 pacientë kanë vdekur, ndërsa 63 janë shëruar.
- Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.