Punëtorët që nuk kanë kontrata, nuk paguajnë taksa dhe kontribute personale do ta kenë të vështirë të përfitojnë nga Pakoja Emergjente e qeverisë, kanë thënë zyrtarë qeveritarë.
Por, ata mund ta bëjnë një gjë të tillë nëse nënshkruajnë marrëveshje me punëdhënësin për së paku një vit.
Me këtë mekanizëm, qeveria planifikon të ulë informalitetin në sektorin e punës në Kosovë i cili sipas disa të dhënave të Bashkimit Evropian, ekonomia informale është baraz me 40 përqind të ekonomisë ose bruto prodhimit vjetor.
Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë mbi 170 milionë euro si pako stimuluese për tejkalimin e krizës ekonomike. Punëtorët që kanë humbur punën gjatë dy muajve si pasojë e krizës së COVID-19 do t’i marrin nga 170 euro në muaj.
SHIKONI EDHE: Punëtorët e pezulluar, në hall me pagatZëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se për ata të cilët kanë punuar në “të zezën” punëdhënësi duhet që t’i pajisë me kontrata njëvjeçare. Ai thotë se Qeveria është e interesuar të vendos rregull në tregun e punës.
“Është një pikë e vecantë brenda masave, që kërkon që këto kompani t’i formalizojnë punëtorët, t’i regjistrojnë, t’i sigurojnë kontrata se paku njëvjeçare dhe këta punëtorë automatikisht do jenë pjesë e përfitimeve. Ne jemi të interesuar të formalizojmë këtë sektor”, tha Krasniqi
Mbi 150 mijë punëtorë pa kontrata
Të dhënat e sakta për numrin e të punësuarve joformalë nuk dihet, pasi që rastet e tilla rrallë herë raportohen tek autoritetet kompetente. Pavarësisht kësaj, numri i të punësuarve pa kontrata pune vazhdimisht ka qenë shqetësim për autoritetet në vend dhe përfaqësues të punëtorëve.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 30.7 për qind është numri i të punësuarve në tregun e Kosovës. Nga kjo shifër 54 për qind thuhet se posedojnë kontratë të përhershme, kurse 46 për qind kontratë të përkohshme.
Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës, disa herë ka shprehur shqetësimin se në tregun e punës, konkretisht në sektorin privat ka shumë punëtorë që punojnë në mënyrë joformale.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, që funksionon në kuadër të BSPK-se, thotë në tregun e punës llogaritet të jenë mbi 150 mijë punëtorë pa kontrata. Ai madje tregon se janë të befasuar më numrin e madh të punëtorëve pa kontrata, tashme kur punëtorët po interesohen për kompensim nga pako emergjente
“Pas vendimit të qeverisë se Kosovës, punëtorët pa kontrata pune janë duke ardhur në sindikatë të pyesin se si do të financohen nga Pakoja Emergjente, po rezulton se janë mbi 150 mijë punëtorë pa kontrata pune. Është vërejtur se ka kompani që ka deri në 30 punëtorë, ndërkaq me kontrata pune ka 3-4 punëtorë. Jemi befasuar më numrin e madh të punëtorëve pa kontrata pune”, thotë Azemi.
Prijnë ndërtimi dhe gastronomia me informalitet
Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, në një bisedë Për Radion Evropa e Lirë, thotë se kjo masë do të ndikojë në një mënyrë në formalizimin e vendve të punës, por jo në në masë të madhe.
“Ky do të jetë një mekanizëm që sado pak do ta rrisë formalitetin në punësim, por megjithatë nuk pres shumë rezultate në këtë aspekt” tha Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Buxheti i Kosovës rrezikon të humbë rreth 200 milionë euroZyrtarë të inspektoratit të punës, më herët kanë thënë për REL se kompanitë, të cilat më së shumti punësojnë punëtorë pa kontratë pune, janë ato në sektorin e ndërtimit dhe gastronomisë.
Sidoqoftë, sektori privat në Kosovë llogaritet punëdhënësi më i madh në të cilin vlerësohet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë. Ky sektor shpesh është ankuar se përveç pagave të ulëta, punëtorët punojnë me orar të stërzgjatur, pa kontrata pune, me vonesa të pagave, pa pagesë të kontributeve, në shumicën e rasteve me vetëm një ditë pushim në javë dhe pa mjetet e sigurisë në punë.