Aktiviteti i kufizuar ekonomik, mbyllja e dyqaneve, bizneseve, janë vetëm disa nga masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.
Dhe në kohën kur ende nuk dihet se kur do të mund të flitet për lehtësim masash, bizneset numërojnë humbjet e tyre.
Rreth një milion euro më pak ka pasur të hyra në muajin mars kompania "Frutex" nga Suhareka.
Shaqir Palushi, pronari i kësaj kompanie, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shpjegon humbjet që ka pësuar kompania e tij.
“Vetëm për muajin mars kemi pasur rënie të qarkullimit për 50 për qind nga ajo që kemi planifikuar, që do të thotë rreth 1 milionë euro të hyra më pak. Sigurisht kjo do të ketë ndikim në zvogëlimin e mundësive për investime. Pra, gjithsesi planifikimet për investime në vitin 2020 do të reduktohen. Shpresoj që të mos zgjasë shumë kjo situatë”, thotë Palushi.
Në dy javët e kaluara, thotë Palushi, kompania Frutex nuk ka punuar fare, ndërkaq puna me numër të reduktuar të punëtorëve dhe vetëm me një linjë prodhuese ka filluar nga dita e hënë, 30 mars 2020.
“Nga rreth 180 punëtorë sa kanë qenë të punësuar në këto kompani, numri është zvogëluar në 90 punëtorë, megjithëse deri më tani punëtorët vazhdojnë të marrinë pagat e plota”, thotë Palushi.
SHIKONI EDHE: Pezullimi nga puna në kohë pandemieHumbje të mëdha i janë shkaktuar edhe kompanisë ‘Stone Castle’ në Rahovec, kompani kjo e cila merret me prodhimin e rrushit dhe pijeve alkoolike.
Teuta Kurshumlija, menaxhere e shitjes në këtë kompani thotë për Radion Evropa e Lirë se menjëherë pas marrjes së vendimit të qeverisë për mbylljen e të gjitha veprimtarive hoteliere ka pasur rënie drastike të shitjes.
Ndërkaq sa u përket dyqaneve, Kurshumliu thotë se ato kanë reduktuar porositë në minimum, pasi që gjendja emergjente i ka shtyrë njerëzit që prioritet të kenë artikujt ushqimor primar, sic është mielli.
Eksporti ndërkaq, është zvogëluar që në javën e parë të masave emergjente, duke marrë parasysh edhe qarkullimin e kufizuar ndërshtetëror.
“Shitjen e produkteve tona e përbën deri në 80 për qind eksporti. Në zvogëlimin e eksportit, në mënyrë drastike, kanë ndikuar vështërsitë në transportimin e mallit. Sa për ilustrim, kamioni i cili e bart mallin për Kroaci, është i bllokuar me ditë të tëra nëpër shtete të ndryshme. Rrezikojmë që prej javës së ardhshme, nëse situata mbetet e njëjtë ose vështirësohet, edhe eksporti i tanishëm të bie tërësisht në pikën zero”, thotë ajo.
Në anën tjetër, veprimtaria në vreshta nuk mund të ndalet, mirëpo, thotë Kurshumliu, as nuk ka si të mbijetojë nëse nuk ka shitje. Dhe ndikimi do të jetë zinxhiror, sepse nuk do të mund të mbijetojë as prodhimi, dhe as administrata.
“Për momentin aktivitetet janë duke vazhduar, në respektimin maksimal të rregulloreve të përcaktuara prej Qeverisë dhe atë që urojmë është që mos të ndërpriten punimet në vreshta, sepse në një rast të tillë, do të kemi pasoja të pariparueshme, jo vetëm për kompaninë Stone Castle, por në përgjithësi për sektorin e vreshtarisë dhe të verarisë në Kosovë”, thotë Kurshumliu.
Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura nga kjo situatë, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh.
Megjithatë, kjo shumë e ndarë është cilësuar si e pamjaftueshme nga shoqatat ekonomike në Kosovë, të cilat kishin kërkuar grumbullimin e 300 milionë eurove për fazën emergjente.
SHIKONI EDHE: Zeka: Koronavirusi me pasoja për ekonominëGuvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës ka paralajmëruar të premten se tronditjet ekonomike në ekonominë e Kosovës do të ndjehen më tepër në tremujorin e parë dhe të dytë dhe pjesërisht edhe në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas BQK-së parashikimet preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2 për qind deri në - 4 për qind për vitin 2020.
Masat kundër përhapjes së koronavirusit në Kosovë kanë nisur që nga 13 marsi, kur edhe ishin paraqitur rastet e para me infeksionin COVID-19. Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 135 raste të konfirmuara, një rast vdekjeje dhe 16 raste të shëruara nga koronavirusi.