Spitalet në Itali "kanë nisur të marrin frymë"

Millano, Itali

Italia ka parë të premten disa shenja të përmirësimit të situatës me koronavirus, edhe pse numri i viktimave nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, është rritur për 766, përkatësisht në 14,681.

Në të dhënat e reja të publikuara nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile, numri i të infektuarve të rinj brenda një dite ka rënë për 4 për qind.

Numri i të shëruarve, ndërkaq, është rritur për 17.3 për qind, përkatësisht në 19,758, gjatë 48 orëve të kaluara.

Lombardia, rajoni i goditur më së keqi në Itali, ka regjistruar një rritje të vogël të pacientëve në kujdes intensiv.

“Shifrat po përmirësohen. Spitalet kanë nisur të marrin frymë”, tha zyrtari kryesor mjekësor i Lombardisë, Giuli Gallera.

Koronavirusi, megjithatë, ka dëmtuar rëndë kapacitetet spitalore të Italisë dhe ka goditur keq ekonominë e këtij vendi.

Italia ka qenë vendi i parë evropian që ka mbyllur gjithçka, përveç farmacive dhe dyqaneve ushqimore, më 12 mars.

Mbyllja dhe ndalimi i tubimeve publike do të jenë në fuqi deri më 13 prill.

Italia ka numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë, ndërsa është e dyta me numrin e të infektuarve, pas Shteteve të Bashkuara.