Kina raporton rënie të numrit të të infektuarve me koronavirus

Vuhan, Kinë

Kina raportoi për rënie të numrit të rasteve të reja me koronavirus – për të katërtën ditë me radhë.

Autoritetet shëndetësore atje thanë se të hënën janë shënuar 31 raste të reja, prej të cilave 30 janë importuar.

Sipas Komisionit Kombëtar Shëndetësor, shifra paraqet rënie për 45 për qind, krahasuar me një ditë më parë.

Autoritetet po ashtu thanë se kanë regjistruar katër viktima të reja nga koronavirusi, të cilat e çojnë në 3,304 numrin total të tyre.

Kina është vendi i origjinës së koronavirusit, ku rastet e para janë shfaqur në fund të vitit të kaluar.

Që atëherë, ato janë përhapur në mbi 150 vende të botës dhe aktualisht numrin më të madh të të infektuarve e kanë Shtetet e Bashkuara, me mbi 143,000 raste.

Sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, ka marrë mbi 34,000 jetë njerëzish në botë.

Numrin më të madh të viktimave e bartin Italia dhe Spanja.

Për lajmet e reja rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.