Bashkimi Evropian u bëri thirrje udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që të punojnë së bashku për luftimin e pandemisë së sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga një koronavirus i ri.
“Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, populli i Kosovës ka nevojë për udhëzime të qarta dhe siguri se do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për t’i zbutur efektet e pandemisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Kosova ka aktualisht 61 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa një person ka humbur jetën.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për kufizim të lëvizjes së qytetarëve disa orë në ditë, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Por, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kundërshtuar këtë vendim dhe e ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të punojnë së bashku (në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës) dhe ta drejtojnë tërë energjinë dhe mundin e tyre drejt luftimit të pandemisë dhe ofrimit të sigurisë për popullin e Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politikë ose institucionalë, por për unitet politik”, porositi BE-ja.
Javën e kaluar, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës – parti partnere e koalicionit qeverisës – ka iniciuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit ka shkarkuar nga pozita e ministrit të Brendshëm, Agim Veliun, i cili vjen nga LDK-ja.