Kushtetuesja trajton me urgjencë kërkesën e Thaçit

Gjykata Kushtetuese njoftoi se do ta shqyrtojë me urgjencë dhe prioritet të lartë kërkesën e presidentit, Hashim Thaçi rreth masave kufizuese të vendosura nga qeveria.

"Me qëllim të shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës, Gjykata ka kërkuar nga të gjitha palët e interesit në këtë rast që komentet, përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme t’i dorëzojnë në emailin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese sot, më 24 mars 2020, deri në orën 22:00. Kurse komentet përkitazi me kërkesën në përgjithësi, t’i dorëzojnë në Gjykatë në afat prej tri (3) ditësh nga momenti i pranimit të njoftimit për regjistrimin e kërkesës", thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që të interpretojë kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, si masë luftimi kundër COVID-19.

Thaçi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të “vendosë masë të përkohshme ndaj çështjes së ngritur, deri në vendimin përfundimtar”, përmes së cilës do të pezullohej zbatueshmëria e vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë një konference për media, Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën me vendimet që ka marrë.

“Ju informoj se duke marrë parasysh rrethanat e reja të krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, vendim antikushtetues, si president i vendit duke respektuar në tërësi kompetencat kushtetuese dhe ligjore kam vendosur t'i drejtohem Gjykatës Kushtetuese në kërkesë për interpretim të çështje së përputhshmërisë së vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore që mbrohen me Kushtetutë”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me një letër me kërkesën që të rishqyrtojë këtë vendim për lëvizje të kufizuar të qytetarëve deri në interpretimin e kërkesës që presidentit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi i mbrëmshëm i qeverisë ka provokuar rrethana të reja të paqartësisë dhe frikës. Jemi dëshmitar të gjithë që sot njerëzit të krijuar nga ky konfuzion të dalin dhe të furnizohen vetëm në mëngjes duke shkaktuar tollovi në kundërshtim me rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike”, tha Thaçi.

Quint dhe BE: Kosova të përqendrohet në COVID-19

Nisur nga gjendja e krijuar me mosmarrëveshjet politike në mes liderëve dhe institucioneve të Kosovës në kohën e pandemisë me COVID-19, kanë reaguar edhe ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të përbashkët të tyre, thuhet se “në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë dhe politikë që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.

“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe ti japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Kuintit.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të gjitha institucionet të punojnë së bashku në harmoni me Kushtetutën.

"BE-ja qëndron bashkë me Kosovën në luftën kundër COVID-19. Në këtë kohë të vështirë dhe sfiduese, populli i Kosovës ka nevojë për udhëzime të qarta dhe siguri se do të ndërmerren të gjitha masat e mundshme për t’i zbutur efektet e pandemisë. I bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve të institucioneve që të punojnë së bashku, (në respektim të plotë të Kushtetutës së Kosovës) dhe ta drejtojnë tërë energjinë dhe mundin e tyre drejt luftimit të pandemisë dhe ofrimit të sigurisë për popullin e Kosovës. Nuk është koha për antagonizma politik ose institucional, por për unitet politik", thuhet në deklaratën e BE-së.

Eksperti ligjor i KDI-së: Deri në vendimin e Kushtetueses, të respektohet vendimi i qeverisë

Përderisa Gjykata Kushtetuese të mos e thotë mendimin e vet në lidhje me kërkesën e parashtruar nga presidenti, qytetarët dhe të gjitha institucionet duhet të respektojnë vendimin e Qeverisë lidhur me kufizimet e qarkullimit, thotë për Radion Evropa e Lirë, Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka marrë një vendime duke u bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse. Ata e kanë bazuar vendimin e tyre në atë ligj dhe presidenti i Kosovës e ka parë si kundër-kushtetues dhe të kundërligjshme, por realisht nuk është i kundërligjshëm”, thotë Spahija.

“Ideja e tij është që ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka asgjë të keqe këtu. Ne nuk bënë të dalim nga shtëpitë dhe ta refuzojmë këtë vendim, qytetarët por edhe institucionet duhet të respektojnë vendimin derisa është në fuqi”, thotë Spahija.

Nëse Gjykata Kushtetuese, shton Spahija, vendos ndryshe qoftë me masë të përkohshme, qoftë me vendim të drejtpërdrejt, atëherë kuptohet nëse vendimi ka qenë kundër-kushtetues ose jo.

“Çdo interpretim i Kushtetues prej qytetarëve apo edhe zyrtarëve të cilët nuk kanë njohuri për këtë fushë janë vetëm fjalë të cilat mund të jenë të vërteta, por mund të jenë edhe të pavërteta meqë Kushtetutën si autoriteti i vetëm që e interpreton është Gjykata Kushtetuese si organi më i lartë që merret me këtë çështje”, thotë Spahija.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar një analizë mbi kushtetutshmërinë e vendimit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes, ku ka thënë se ky vendim nuk është anti-kushtetues.

“Vendimi i qeverisë për kufizimin e lirisë së qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nuk është kundërkushtetues, dhe rrjedhmisht i përmbush kriteret e lejueshmërisë së kufizimit të lirisë së lëvizjes të përcaktuara në rastet Tommaso v. Italy, Tourancheau and July v. France, Başkaya and Okçuoğlu v. Turkey, etj, të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

“Analiza gjithashtu konkludon që përputhshmëria e këtij Vendimi me dispozitat kushtetuese që rregullojnë gjendjen e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës është jo-relevante, e gabuar profesionalisht dhe e panevojshme”, thuhet në analizën e publikuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Në bazë të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës në kuadër të luftimit dhe parandalimit të koronavirusit të ri, thuhet se që nga data 24 mars e vitit 2020, ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 10:00 e deri në orën 16:00, si dhe prej orës 20:00 e deri në orën 06:00.

Në orët kur mundësohet lëvizja në rrugë, më shumë se dy persona nuk do të lejohet të lëvizin së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

Ndalimi i qarkullimit, sipas Qeverisë së Kosovës, nuk vlen: për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), si dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).

Qeveria ka vendosur masë ndalimi për tubimet në të gjitha mjediset — private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura.

Ndërsa qeveria mori vendimin për ashpërsimin e masave ndaluese, ishte presidenti Thaçi ai i cili kërkoi që këto masa të mos respektohen, pasi që sipas tij, ishin jo kushtetuese.

Policia e Kosovës: Ne zbatojmë dhe nuk interpretojme vendimet

Në lidhje me hutinë e krijuar, Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim ku thuhet se Policia nuk komenton apo interpreton asnjë vendimin ngase është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha vendimet e lëshuara nga organet kompetente, sipas detyrës dhe autorizimeve policore i zbaton.

“Policia e Kosovës referuar situatës dhe rrethanave të krijuara në vendin tonë nga pandemia, koronavirusi COVID-19, me kohë ka hartuar urdhrin operativ të cilin tanimë e ka në implementim, ku të gjitha aktivitetet dhe masat i ndërmerr në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante, konform angazhimeve dhe detyrave të harmonizuara sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Njëkohësisht Policia e Kosovës, koordinon aktivitetet e saja me Grupin Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Këto masa u kundërshtuan pak minuta pasi u vendosën në qeveri nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes mund të bëhet vetëm nëse paraprakisht shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Në të njëjtin mendim me Thaçin ishte edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës dhe ish-kryeministri dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

SHIKONI EDHE: Presidenti Thaçi kundërshton masat e qeverisë për kufizim të lirisë së lëvizjes

Ndërkohë që ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, e ka cilësuar thirrjen e presidentit për mosdëgjueshëmri ndaj vendimit të qeverisë, si shqetësues.

“Zyrtarët që bëjnë thirrje për moszbatimin e vendimeve qeveritare, ligji i dënon. Vendimi i qeverisë për masa dhe kufizim të lëvizjeve bazohet tek Neni 55 i Kushtetutës, paragrafi 1, dhe tek Ligji nr.02/L-109 për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Prandaj, presidenti nuk mund ta vendosë veten mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin”, ka shkruar Sveçla.

Ai shtuar që qytetarët duhet të bashkëpunojnë dhe t’i zbatojmë masat e vendosura nga qeveria.

Qeveria e Kosovës po funksionon në rrethana jonormale, jo vetëm për shkak të gjendjes me pandeminë e COVID-19, që po shqetëson gjithë botë, por edhe për faktin se partitë e koalicionit tashmë kanë reflektuar çarje të mëdha.

Më 17 mars, presidenti Thaçi propozoi një dekret për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila tha se do t’i dërgohet kuvendit për miratim. Megjithatë, deputetët nuk kanë pranuar ende një dekret të tillë.

Kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke argumentuar se institucionet po menaxhojnë situatën me koronavirusin.

Për shkak se kishte mbështetur idenë e presidentit Thaçi për gjendjen e jashtëzakonshme, Kurti shkarkoi Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. Lidhja Demokratike e Kosovës – parti në koalicionin qeverisës – po përkrah masa të jashtëzakonshme për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

SHIKONI EDHE: LDK-ja dhe opozita të vendosura ta votojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë

Aktualisht LDK është në proces të nxjerrjes në votim në Kuvend të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti, me çka pretendon t’i jap fund bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje.